Kush dëshiron të integrohet si emigrant në shoqëri, duhet të mund të kuptohet me bashkëqytetarët. Prandaj është me domethënie qendrore që ju të mësoni gjuhën lokale. Kjo ju lejon juve ndoshta të gjeni një vend pune, të bisedoni në jetën e përditshme me fqinjët, shokët ose kolegët e punës dhe të merrni pjesë aktive në jetën e shoqërisë. Ju po ashtu mund të ndihmoni edhe fëmijët gjatë të mësuarit e gjuhës lokale.
Të mësuarit e një gjuhe ka nevojë për kohë, durim dhe shumë praktikë. Veçanërisht në fillim mund të jetë e vështirë; mos u dekurajoni nga kjo. Më së miri është të vizitoni një nga shkollat e shumta të gjuhës; ka kurse për migrante dhe migrantë, të cilat janë subvencionuar nga federata, kantoni ose komuna në kuadrin e nxitjes së integrimit. Pjesëmarrja në një kurs të tillë është kështu e favorizuar në çmim. Informohuni mbi ofertat dhe çmimet. Të mësosh së bashku me të tjerë, është motivuese dhe jep më tepër kënaqësi. Njohuritë tuaja gjuhësore ju mund t'i përmirësoni më tepër duke biseduar me persona të tjerë, duke lexuar gazeta, tekste në internet ose libra në gjuhën lokale, duke dëgjuar radion ose televizorin.